NA MJAFTON KËNAQËSIA E ALLAHUT
Lajmi se në shkollë do të organizoheshin kurse për lëndët në të cilat fëmijët kishin treguar sukses të dobët u përhap me të shpejtë. Lavdërimi dhe Hasani ishin dy shokë të ngushtë dhe punëtorë. Njëkohësisht, ata ishin të sinqertë e të sjellshëm dhe në çdo pikëpamje dalloheshin nga shokët tjerë. Ata nuk kishin nevojë për kurset që ishin hapur.
Por me qëllim që t’u ndihmojnë shokëve të tyre dhe arsimtarëve deri diku t’ua lehtësonin punën, vendosën që edhe ata të shkonin në kurs.
Fatkeqësisht këta dy shokë rridhnin prej familjeve të varfëra, kështu që ishin të detyruar që pas orarit të shkollës të mirreshin edhe me punë tjera, e sidomos t’u ndihmonin baballarëve në punët e tyre të përditshme. Koha e kurseve ishte e caktuar në mbrëmje.
Meqë detyrat medoemos duhej të kryheshin, nevojitej edhe një flijim i madh.
Ata kishin vendosur t’u ndihmojnë vëllezërve të tyre përmes kurseve të hapura, pa kurrfarë shpërblimi, por vetëm për hirë të Allahut të Madhërishëm.
Do ta përballojnë edhe këtë. Pas shkollës në punë e prej pune në shkollë, që të marrin pjesë në kurset e hapura. Pastaj të kthehen në shtëpi dhe t’i kryejnë detyrat. Duhet të ngrihemi në mëngjes, të falim sabahun dhe të shkojmë në shkollë.
O Allah, na ndihmo! U lutën që të dy.
Në fillim puna u shkonte shumë mirë. Nuk ndienin kurrfarrë lodhjeje. Kënaqësia
e të mirës që e bënin ata, i çlodhte. Pas disa javësh, kur fëmijët tjerë filluan t’i
përvetësojnë mësimet, më nuk ua shprehnin respektin e mëparshëm.
Madje filluan edhe t’i përbuzin. Kjo e lodhi dhe e dëshpëroi Hasanin, saqë një ditë i tha Lavdërimit:
-Vëlla Lavdërim, unë më nuk po mundem të qëndroj. Ne edhe në shkollë po shkojmë
edhe familjeve po u ndihmojmë, tani edhe shokëve po u ndihmojmë. Lëre që nuk janë mirënjohës por tani kanë filluar edhe të tallen me ne!.
Lavdërimi me një kujdes të madh e dëgjoi shokun e vet të dashur dhe iu përgjigj:
-Hasan vëlla! Ne tërë këtë lodhje e tërë këtë flijim a thua për çfarë jemi duke e bërë?
-Për hirë të Allahut, për ta fituar kënaqësinë e Tij, -iu përgjigj Hasani.
-Atëherë o vëlla, pse brengosesh për atë që ata nuk janë mirënjohës ose për atë se ata tallen me ne? Na mjafton kënaqësia e Allahut, e pas asaj asgjë tjetër nuk na duhet. Ne do ta vazhdojmë punën tonë.
Komentet e Fundit